Njoftim
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 02.12.2021, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 21/2021, datë 29.04.2021 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 332, datë 12.01.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Lindita Male (Ziguri).
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik vlerësoi se në kuptim të nenit 4, pika 2 të ligjit nr. 84/2016, subjekti i rivlerësimit ndodhet në situatën e parashikuar nga neni 61, pika 3 dhe 5 e ligjit nr. 84/2016, sipas së cilës ka kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë për kontrollin e pasurisë dhe ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të vendosë: Ndryshimin e vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Lindita Male (Ziguri) kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke deklaruar se gjatë procesit në Kolegj, ka arritur të provojë të kundërtën e ankimit bazuar në ligj, nëpërmjet provave bindëse dhe shteruese. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 332, datë 12.01.2021.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 06.12.2021, ora 13:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.