Njoftim
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 06.12.2021, ora 14:00, seancën dëgjimore publike të çështjes (JD) 5/2021, datë 31.05.2021, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me objekt, procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit z. Luan Daci.
Z. Daci paraqiti para Komisionit Disiplinor një kërkesë paraprake, nëpërmjet së cilës, bazuar në nenin 17, të ligjit 84/2016 dhe nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut për një proces të rregullt, kërkoi shtyrjen e seancës, duke deklaruar se prej ditës së premte, – ditës së shpalljes së datës së seancës nga Kolegji – deri sot, nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për të përgatitur parashtrimet.
Pasi u konsultua, referuar akteve shkresore të administruara në dosje nga gjyqtari hetues, si dhe nenit 17 pika 6, të ligjit 84/2016, Komisioni Disiplinor vendosi të shtyjë seancën dëgjimore vetëm për një ditë, për ditën e nesërme më 07.12.2021, ora 14:00, për t’i dhënë mundësi gjyqtarit nën procedim disiplinor, z. Daci, të përgatisë parashtrimet e tij.
Seanca dëgjimore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.