Njoftim
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 07.12.2021, ora 14:00, seancën dëgjimore publike të çështjes (JD) 5/2021, datë 31.05.2021, ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit z. Luan Daci.
Gjyqtari hetues i çështjes, gjyqtari Ardian Hajdari paraqiti para Komisionit Disiplinor raportin e hartuar mbi rezultatet e hetimit dhe aktet bashkëlidhur tij, të cilat kërkoi të administrohen në cilësinë e provës nga Komisioni Disiplinor. Gjyqtari hetues i kërkoi këtij Komisioni, që pasi të shqyrtojë raportin, bazuar në legjislacionin e zbatueshëm, të vendosë caktimin e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra të gjyqtarit nën procedim disiplinor, z. Luan Daci, sipas nenit 128, pika 2, germa “b” e Kushtetutës.
Gjyqtari nën procedim disiplinor z. Luan Daci paraqiti kundërshtimet e tij në lidhje me kërkimin e gjyqtarit hetues, duke i kërkuar Komisionit Disiplinor të vendosë rrëzimin e procedimit disiplinor dhe mosdhënien e masës disiplinore, pasi, sipas tij, nuk ekziston fakti penal dhe se adresimi tek neni 128, pika 2, germa “b” e Kushtetutës, është i gabuar. Gjyqtari nën procedim disiplinor, z. Daci, deklaroi se nuk ndodhet në kushtet e një shkeljeje disiplinore, referuar nenit C, pika 16, të Aneksit të Kushtetutës, si dhe nenit 16 dhe 17 të ligjit 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisioni Disiplinor vendosi mbylljen e shqyrtimit të procedimit disiplinor, dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, si dhe vendosi të tërhiqet për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 09.12.2021, ora 09.30.
Seanca dëgjimore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.