Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 14.12.2021, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 3/2021, datë 30.04.2021, me ankues Bujar Memia, kundër vendimit nr.81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia” dhe me subjekte të interesuar, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).
Pasi u bë verifikimi i prezencës së palëve, në funksion të realizimit të mbrojtjes para Kolegjit, ankuesi Bujar Memia paraqiti para trupit gjykues dy kërkesa paraprake, nëpërmjet të cilave kërkoi të administrohen informacione dhe prova, për të cilat, pretendoi se nuk i është kthyer përgjigje nga institucionet.
Në vijim, kryesuesja pyeti përfaqësuesit e KLP-së, nëse ankuesit, i ishte vënë në dispozicion i gjithë fashikulli me aktet e administruara dhe të krijuara, në kuadër të procedimit disiplinor në ngarkim të tij. Përfaqësuesit e KLP-së parashtruan se është detyrim i ILD-së që të njohë ankuesin me aktet. Përfaqësuesja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në funksion të sqarimit të faktit nëse ankuesi Bujar Memia ishte njohur me aktet e nxjerra nga ILD-ja, deklaroi se me vendimin për fillimin e hetimit disiplinor, që i është dërguar ankuesit, i është bashkëngjitur edhe deklarata e të drejtave, nëpërmjet së cilës, i jepet e drejta e njohjes me aktet.
I pyetur nga kryesuesja rreth arsyes përse fashikulli i plotë i çështjes nuk është paraqitur në Kolegj, përfaqësuesi i KLP-së deklaroi se është vlerësuar që ky është detyrim i ankuesit, ndërsa përfaqësuesja e ILD-së i kërkoi Kolegjit të administrojë dosjen e plotë të çështjes, nëse i shërben procesit.
Pasi u tërhoq për konsultim, Kolegji, bazuar në nenet 1, paragrafi 2 dhe 42 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, vendosi t’i drejtohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të sjellë brenda datës 29.12.2021, fashikullin me të gjitha aktet e administruara dhe të krijuara në funksion të procedimit disiplinor, në bazë të të cilit është marrë vendimi nr.81, datë 31.03.2021, i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Lidhur me kërkesat e ankuesit për marrje provash, Kolegji vlerësoi se ato nuk hyjnë në kategorinë e kërkesave paraprake dhe se duhet të paraqiten nga ankuesi e të trajtohen nga gjykata gjatë shqyrtimit në themel të çështjes.
Me qëllim përmbushjen e detyrave të urdhëruara nga trupi gjykues, seanca e radhës do të zhvillohet në datën 19 janar 2022, ora 10:00.
Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.