Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 15.12.2021, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 4/2021, datë 21.05.2021, me ankues Enkeleida Hoxha, kundër vendimit nr.92, datë 17.03.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me subjekt të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj).

Kryesuesja i bëri me dije ankueses Enkeleida Hoxha, të pranishme në seancëse, se avokati Ardian Visha kishte depozituar në Kolegj një kërkesë, nëpërmjet së cilës kërkonte shtyrjen e seancës, për shkak të pamundësisë së tij për të qenë i pranishëm, për arsye objektive shëndetësore.

E pyetur nga kryesuesja, ankuesja konfirmoi se dëshironte të përfaqësohej në procesin që do të zhvillohej në Kolegj nga ky avokat, sipas tagrave të përcaktuara në prokurën e lëshuar prej saj dhe se gjithashtu, dakordësohej për shtyrjen e seancës për shkak të mosprezencës së tij.

Kryesuesja pyeti ankuesen Enkeleida Hoxha nëse i ishte vënë në dispozicion nga KLGJ i gjithë fashikulli i administruar dhe krijuar në kuadër të procedimit disiplinor të saj, dhe ajo deklaroi se ishte njohur vetëm me vendimin për fillimin e procedimit disiplinor.

I pyetur nga kryesuesja, përfaqësuesi i KLGj-së deklaroi se krahas parashtrimeve të tij të depozituara në Kolegj, është paraqitur edhe dosja e plotë në funksion të procedimit disiplinor. Në vijim të këtij deklarimi, Kryesuesja sqaroi se perceptimi i Kolegjit, bazuar në përcaktimin që është bërë për to në shkresën e KLGJ, është që nga kjo e fundit, janë depozituar vetëm dokumentet në funksion të prapësimeve të paraqitura në Kolegj, por jo fashikulli i plotë i administruar dhe krijuar në KLGJ në funksion të procedimit disiplinor për znj. Enkeleida Hoxha.

Pasi u tërhoq për konsultim, Kolegji, bazuar në nenin 175, paragrafi i dytë, i Kodit të Procedurës Civile, vendosi të pranojë kërkesën e ankueses Enkeleida Hoxha dhe avokatit Ardian Visha për shtyrjen e seancës së sotme gjyqësore.

Bazuar në nenet 1, paragrafi 2 dhe 42 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Kolegji vendosi t’i drejtohet KLGJ-së për të sjellë brenda datës 29.12.2021, fashikullin e plotë me të gjitha aktet e administruara dhe të krijuara në funksion të procedimit disiplinor, në bazë të të cilit është marrë vendimi nr. 92, datë 17.03.2021 i KLGJ-së.

Gjithashtu, bazuar në nenin 38, pika 2 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Kolegji vendosi të thërrasë si subjekt të interesuar Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, pjesëmarrja e të cilit në këtë proces konsiderohet e nevojshme për zhvillimin efektiv të tij.

Me qëllim përmbushjen e detyrave të urdhëruara nga trupi gjykues, seanca e radhës do të zhvillohet në datën 20 janar 2022, ora 10:00.

Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.