Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 17.01.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 2/2021, datë 26.03.2021, me ankues Markelian Kuqo, kundër vendimit nr.633, datë 10.12.2020 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e masës disiplinore ndaj gjyqtarit Markelian Kuqo” dhe me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Kryesuesja e seancës bëri me dije, se në përmbushje të detyrave të ngarkuara nga Kolegji në seancën e mëparshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte dërguar fashikullin me të gjitha aktet e administruara dhe të krijuara në funksion të procedimit disiplinor, por ankuesi Markelian Kuqo kishte njoftuar zyrtarisht se për arsye shëndetësore nuk mund të paraqitej në Kolegj për t’u njohur me aktet.
Për shkak të mosprezencës për arsye objektive të ankuesit Markelian Kuqo edhe në seancën e sotme, si dhe për shkak të mosprezencës së gjyqtares relatore të çështjes për arsye objektive, Kolegji vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 15.02.2022, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.