Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 17.02.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 3/2021, datë 30.04.2021, me ankues Bujar Memia, kundër vendimit nr.81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia” dhe me subjekte të interesuar, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).

Pas verifikimit të prezencës së palëve, ankuesi paraqiti dy kërkesa paraprake, nëpërmjet së cilave kërkoi: konstatimin e mungesës së kompetencës së Kolegjit për shqyrtimin e çështjes së tij, si dhe çmuarjen si të pavlefshëm të aktit të përfaqësimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Pasi u këshillua, bazuar në nenin 179/7 të Kushtetutës, nenin 5/3 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, në nenin 71/3 të ligjit 8577/2000”Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, trupi gjykues vendosi rrëzimin e kërkesës së parë të ankuesit Bujar Memia.

Lidhur me kërkesën për çmuarjen si të pavlefshme të aktit të përfaqësimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, trupi gjykues vendosi të marrë kohë për vlerësimin e saj dhe për këtë arsye, u vendos shtyrja e seancës për ditën e nesërme, më datë 18 shkurt 2022, ora 11:30.

Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.