Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 20 dhjetor 2018, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr.9/2018, datë 19.07.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.22, datë 07.06.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Edmond Islamaj.
Në seancën e sotme, subjekti i rivlerësimit shpjegoi mënyrën e përfitimit të çmimit të shitjes së autoveturës “Range Rover”, me targë AA …, duke paraqitur edhe një deklaratë noteriale të blerësit, e cila u pranua si provë nga trupi gjykues.
Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore ditën e martë, më datë 15.01.2019, ora 12.00, për t’i dhënë kohën e nevojshme Njësisë së Shërbimit Ligjor, pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të vlerësojë efektin e provave të reja të marra deri në këtë fazë të gjykimit, në analizën financiare të subjektit të rivlerësimit.
Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.