Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 21.01.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 4/2021, datë 21.05.2021, me ankues Enkeleida Hoxha, kundër vendimit nr.92, datë 17.03.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD).
Pas verifikimit të prezencës së palëve, gjatë së cilës u konstatua mosprezenca e ankueses dhe avokatit të saj, kryesuesja e seancës bëri me dije se avokati i ankueses Enkeleida Hoxha i kishte kërkuar Kolegjit shtyrjen e seancës për arsye të pamundësisë së tij për të qenë i pranishëm, për shkak të një gjykimi tjetër pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ankuesja nuk ishte e pranishme, për shkak se institucionit të ekzekutimit të vendimit penal nuk i ishte kërkuar zyrtarisht shoqërimi i znj. Hoxha për seancën gjyqësore të ditës së sotme.
Për arsyet e mësipërme, seanca u shty për në datën 23 mars 2022, ora 10:00.
Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.