Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.03.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 62/2019, datë 12.12.2019 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Dhurata Haveri kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 197, datë 27.09.2019.
Bazuar në nenin 45 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet shkresore të paraqitura nga dëshmitari në seancën paraardhëse.
Kryesuesi i seancës bëri me dije se bazuar në nenin 49, paragrafi i dhjetë, i ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vëzhguesja ndërkombëtare e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kishte depozituar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit një gjetje, që ishte bërë pjesë e fashikullit të çështjes, i ishte përcjellë subjektit të rivlerësimit, znj. Dhurata Haveri dhe për të cilën, përfaqësuesja e saj ligjore mbajti qëndrim gjatë seancës së sotme.
Bazuar në nenin 47, të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” të ndryshuar, si dhe në nenin 49, pika 6, germat, “a”, “b”, “d” të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues vendosi të mos pranojë kërkesën e përfaqësueses ligjore për të pranuar në cilësinë e provës aktet e depozituara në tërësi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit prej periudhës tetor – dhjetor 2021.
Pasi subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera shtesë, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke ftuar subjektin e rivlerësimit të paraqesë konkluzionet përfundimtare.
Subjekti i rivlerësimit, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 197, datë 27.09.2019 dhe vijimin e procesit të rivlerësimit edhe për dy kriteret e tjera, atë të vlerësimit të figurës dhe të profesionalizimit; ose në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 197, datë 27.09.2019 dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit znj. Dhurata Haveri.
Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të tërhiqet për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 15.03.2022, ora 9:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.