Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 31.03.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 20/2020, datë 17.06.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Fatri Islamaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 220, datë 10.12.2019.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës bëri me dije se pas vendimit të ndërmjetëm për dhënien fund hetimit gjyqësor të çështjes, në fazën kur trupi gjykues ishte tërhequr për marrjen e vendimit përfundimtar, më datë 23 mars 2022, vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ka depozituar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit një opinion (mendim me shkrim) në funksion të shqyrtimit të çështjes për subjektin e rivlerësimit Fatri Islamaj.
Për këtë arsye, me vendim të ndërmjetëm, me shumicë votash, bazuar në nenin 315 të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi të revokojë vendimin e ndërmjetëm për mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ta riçelë këtë hetim në funksion të vënies në dispozicion subjektit të rivlerësimit, opinionin e vëzhguesit ndërkombëtar.
Për t’i dhënë mundësi subjektit të rivlerësimit të njihet dhe të mbajë një qëndrim lidhur me këtë opinion, seanca gjyqësore u shty për në datën 12 prill 2022, ora 9:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.