Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 31.03.2021, ora 12:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 42/2021, datë 27.07.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 363, datë 01.04.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elizabeta Imeraj.

Avokati i subjektit të rivlerësimit paraqiti qëndrimin e tij lidhur me gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë, duke pretenduar se nuk i përmbushin kriteret për t’u pranuar në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj vijoi me prapësimet për të trija kriteret e vlerësimit referuar shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, duke i kërkuar Kolegjit të pranojë në cilësinë e provës të gjitha aktet e referuara prej saj në mbështetje të pretendimeve të ngritura.

Në vijim, Komisioneri Publik iu përgjigj disa pyetjeve të avokatit të subjektit të rivlerësimit lidhur me gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë, duke deklaruar se përfshirja e gjetjeve si provë në ankim, bazohet në nenin “b” të Aneksit të Kushtetutës, si dhe në pikën 10, të nenit 49, të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Procesi gjyqësor vijoi me një seancë pyetje – përgjigjesh mes vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të çështjes (JR) 42/2021, datë 27.07.2021 në Kolegj dhe subjektit të rivlerësimit, lidhur me kriterin e pasurisë dhe atë të figurës.

Për shkak të kohëzgjatjes së seancës, trupi gjykues vendosi ta shtyjë atë për ditën e nesërme, më datë 1 prill 2022, ora 11:00, ku do të vijohet me përgjigjet e disa pyetjeve të tjera drejtuar Komisionerit Publik, të cilat, subjekti i rivlerësimit dhe avokati i depozituan para përfundimit të seancës së sotme gjyqësore.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.