Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 05.04.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 40/2021, datë 23.07.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përmban shkaqe të mjaftueshme për t’u hetuar nga Kolegji, pasi subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë sa i përket kriterit të vlerësimit të pasurisë dhe atij profesional. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit marrjen në konsideratë të shkaqeve të ankimit, çeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen e provave të reja, përfshirë edhe gjetjet e depozituara nga vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, pjesë e ankimit.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti prapësimet e tij kundër shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik duke deklaruar se janë të pabazuara në prova e fakte dhe si të tilla, nuk duhet të merren në konsideratë nga Kolegji. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të pranojë si provë të gjitha aktet e depozituara prej tij në mbështetje të pretendimeve të ngritura gjatë seancës së sotme, përfshirë edhe akte që kundërshtojnë denoncimet e publikut dhe të vendosë lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 393, datë 03.06.2021.
Komisioneri Publik vlerësoi se denoncimet e publikut nuk përmbajnë asnjë provë apo rrethanë për hetim të mëtejshëm nga ana e Kolegjit.
Pasi subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në funksion të shqyrtimit të çështjes dhe një pyetjeje të relatores lidhur me aktet e depozituara, trupi gjykues u konsultua dhe vendosi:
– Çeljen e hetimit gjyqësor të çështjes për të pranuar aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, si dhe kryerjen nga Kolegji të një analize financiare të bazuar në pretendimet e ngritura nga Komisioneri Publik në ankim.
Trupi gjykues vendosi gjithashtu të shprehet lidhur me denoncimet e publikut në seancën e ardhshme gjyqësore, që do të zhvillohet më datë 6 maj 2022, ora 9:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.