
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 07.04.2022, ora 09:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 3/2021, datë 30.04.2021, me ankues Bujar Memia, kundër vendimit nr.81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia” dhe me subjekte të interesuar, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).
Gjatë debatit gjyqësor, ankuesi dhe avokati i tij paraqitën parashtrimet e tyre në mbështetje të qëndrimit, se vendimi nr.81, datë 31.03.2021 i Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia” është në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese dhe ligjin procedural administrativ. Ankuesi i kërkoi Kolegjit marrjen në cilësinë e provës të akteve që depozitoi në mbështetje të pretendimeve të ngritura gjatë seancës së sotme.
Përfaqësuesit e subjekteve të interesuara, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë paraqitën parashtrimet e tyre në mbështetje të qëndrimit, se me veprimet dhe me mosveprimet e tij, ankuesi Bujar Memia është gjetur disiplinarisht përgjegjës gjatë hetimit dhe procesit disiplinor të kryer nga ILD-ja dhe KLP-ja.
Përfaqësuesit e subjekteve të interesuara depozituan përgjigjet me shkrim rreth disa pyetjeve të ankuesit, të cilat trupi gjykues ia përcolli këtij të fundit.
Ankuesi paraqiti dy kërkesa procedurale, nëpërmjet të cilave i kërkoi Kolegjit t’i drejtohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për administrimin e një materiali audio dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për një vendim në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të rrëzojë kërkesat e ankuesit, pasi materiali audio mund të aksesohet nga burime të hapura të informacionit, ndërsa, sa i përket vendimit, ankuesi nuk kishte treguar ndonjë përpjekje për ta siguruar personalisht pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet që përmban fashikulli i dosjes së KLP-së i depozituar në Kolegj si dhe aktet e reja të paraqitura nga ankuesi gjatë seancës së sotme gjyqësore. Trupi gjykues bëri me dije se në seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 9 maj, ora 9:00, Kolegji do të shprehet lidhur me disa akte të reja që ankuesi pritet të depozitojë në mbështetje të pretendimeve të tij. Gjatë kësaj séance, palët duhet të jenë të përgatitura edhe për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.