Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 14.04.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 4/2021, datë 21.05.2021, me ankues Enkeleida Hoxha, kundër vendimit nr.92, datë 17.03.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD).
Gjatë paraqitjes së parashtrimeve të tyre, ankuesja Enkeleida Hoxha dhe avokati i saj i kërkuan Kolegjit pranimin e ankimit dhe rrëzimin e vendimit nr.92, datë 17.03.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi ngritën pretendime për subjektiviziëm dhe shkelje të ligjit procedural e material. Në mbështetje të pretendimeve të ngritura, ankuesja paraqiti disa akte të reja, të cilat kërkoi të merren si provë nga trupi gjykues.
Prëfaqësuesit e subjekteve të interesuar, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë paraqitën parashtrimet e tyre, duke deklaruar se procedimi disiplinor i kryer nga ILD-ja dhe vendimi nr.92, datë 17.03.2021 i Këshillit të Lartë Gjyqësor janë të bazuara në prova dhe në ligj. Përfaqësuesit e subjekteve të interesuara i kërkuan Kolegjit mospranimin e ankimit të znj. Enkeleida Hoxha.
Gjatë debatit gjyqësor, përfaqësuesit e ILD-së dhe KLGJ-së iu përgjigjën disa pyetjeve të avokatit të ankueses dhe pyetjeve të njërës prej anëtareve të trupit gjykues në funksion të shqyrtimit të çështjes. Gjithashtu, relatorja – njëkohësisht edhe kryesuesja e gjykatës– i kërkoi ankueses, znj. Enkeleida Hoxha, të sqaronte specifikisht se cilat ishin aktet që ankuesja kërkonte të aksesonte nëpërmjet disa shkresave drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, në zyrën e saj në gjykatën e rrethit gjyqësor Krujë, si dhe vlerën provuese të tyre për gjykimin në Kolegj.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të administrojë fashikujt e procedimit disiplinor të Këshillit të Lartë Gjyqësor të depozituar në Kolegj, si dhe pranojë në cilësinë e provës aktet e reja të depozituara nga ankuesja gjatë seancës së sotme gjyqësore.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare. Duke qenë se palët kërkuan kohë për përgatitjen me shkrim të tyre, seanca u shty për në datën 10 maj 2022, ora 9:00.
Seanca e radhës do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.