Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 28.04.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 14/2021, datë 30.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Rilinda Selimi.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti kërkesën paraprake për njohjen me arsyetimin e vendimeve të Kolegjit lidhur me rrëzimin e kërkesave së saj për përjashtimin e disa prej anëtarëve të trupit gjykues përpara fillimit të diskutimeve paraprake të palëve.
Pasi u konsultua, bazuar në nenet 75, pika 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi të mos pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit, sa i përket ndërprerjes së seancës gjyqësore, por t’i japë mundësinë subjektit të rivlerësimit, që në një kohë të përshtatshme, të njihet me aktet procedurale që kanë të bëjnë me vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lidhur me kërkesat e saj për përjashtimin e disa prej anëtarëve të trupit gjykues.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti edhe një kërkesë tjetër paraprake bazuar në nenin 297/a të Kodit të Procedurës Civile për pezullimin e gjykimit të çështjes në Kolegj, derisa të përfundojë një çështje tjetër penale, e ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Subjekti i rivlerësimit depozitoi edhe dy akte shkresore në mbështetje të kësaj kërkese.
Duke mbajtur qëndrimin e tij lidhur me këtë kërkesë, Komisioneri Publik deklaroi se ajo nuk gjendet në kushtet e nenit 297/a të Kodit të Procedurës Civile, pasi procesi i rivlerësimit kalimtar është një proces i ndarë nga çdo lloj tjetër procesi dhe rrjedhimisht, gjykimi në Kolegj duhet të vazhdojë.
Pasi dëgjoi qëndrimin e Komisionerit Publik dhe pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të mos pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit, me arsyetimin se gjykimi në Kolegj është i një natyre të posaçme dhe nuk ka mbivendosje me procese të natyrave të tjera; për pasojë kërkesa nuk bazohet në kushtet e parashikuara në nenin 297/a të Kodit të Procedurës Civile. Si pasojë, trupi gjykues vendosi vijimin e procesit gjyqësor në Kolegj.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik i parashtroi Kolegjit kërkesën për kryerjen e një hetimi të plotë mbi çështjen nëpërmjet administrimit të dokumenteve dhe informacioneve shtesë në funksion të shqyrtimit të ankimit. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit që, pasi të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit dhe pas vlerësimit të plotë të rezultateve të hetimit, të vendosë në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose lënien në fuqi të këtij vendimi.
Në vijim, gjyqtarja relatore e çështjes i drejtoi Komisionerit Publik disa pyetje sqaruese në lidhje me ankimin.
Në kushtet kur trupi gjykues e konsideroi të një rëndësie thelbësore për zhvillimin e gjykimit, qartësimin nga Komisioneri Publik të shkaqeve të ankimit, i kërkoi Komisionerit Publik që sqarimet, t’i paraqesë me shkrim. Për këtë arsye seanca gjyqësore u shty për në datën 19 maj 2022, në orën 12:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.