Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 04.05.2021, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 19/2021, datë 19.04.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elbana Lluri.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se më datë 26.04.2022, vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kishte paraqitur në Kolegj një opinion (mendim me shkrim), nëpërmjet të cilit, i kërkonte Kolegjit në mënyrë alternative, gjykim të përbashkët të çështjes së subjektit të rivlerësimit znj. Elbana Lluri dhe të çështjes së ish – bashkëshortit të saj, që po shqyrtohet aktualisht në Kolegj, ose administrimin në secilin proces, të akteve të procesit tjetër.
Pasi palët konfirmuan se ishin njohur me opinionin, subjekti i rivlerësimit kundërshtoi kërkesën e vëzhguesit ndërkombëtar, duke deklaruar se është në mospërputhje të dispozitave ligjore dhe në pamundësi procedurale për t’u zbatuar.
Pasi u tërhoq për konsultim, trupi gjykues vendosi marrjen në cilësinë e provës të akteve që janë pjesë e fashikullit të çështjes së ish – bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit, si dhe të akteve që do të bëhen pjesë e atij fashikulli gjatë gjykimit në Kolegj.
Për t’u lënë kohë të arsyeshme palëve të njihen me provat e reja, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 25 maj 2022, ora 9:00. Gjatë kësaj séance, palët do të shprehin qëndrimin e tyre edhe lidhur me analizën financiare të përgatitur nga Kolegji, të mbështetur në shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.