Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 06.04.2021, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 40/2021, datë 23.07.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha.

 

Të pyetur nga kryesuesja e seancës, palët konfirmuan se ishin njohur me analizën financiare të kryer nga Kolegji, si dhe me një opinion (mendim me shkrim) të depozituar më 26 prill 2022 nga vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili i kërkonte Kolegjit, në mënyrë alternative, gjykim të përbashkët të çështjes së subjektit të rivlerësimit z. Gerd Hoxha dhe të çështjes së ish – bashkëshortes së tij, që po shqyrtohet aktualisht në Kolegj, ose administrimin në secilin proces, të akteve të procesit tjetër.

 

Komisioneri Publik u shpreh se vendimmarrjen lidhur me opinionin e vëzhguesit ndërkombëtar e lë në çmim të gjykatës, ndërkohë që kërkoi kohë të arsyeshme për t’u njohur me çështjen në tërësi, të cilën, deri në këtë moment, e kishte ndjekur ish – Komisioneri Publik Darjel Sina, që nuk e ushtron më këtë detyrë.

 

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi kërkesën e vëzhguesit ndërkombëtar, duke deklaruar se është e pabazuar, në mospërputhje me ligjin procedural dhe material, si dhe zvarrit procesin e rivlerësimit.

 

Pasi u tërhoq për konsultim, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi marrjen në cilësinë e provës të akteve që janë pjesë e fashikullit të çështjes së ish – bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit, si dhe të akteve që do të bëhen pjesë e atij fashikulli gjatë gjykimit në Kolegj.

Lidhur me tri denoncimet e publikut, trupi gjykues vendosi të mos çelë hetimin gjyqësor, pasi nuk plotësojnë kriteret e nenit 53, të ligjit 84/2016.

Për t’u lënë kohë të arsyeshme palëve të njihen me provat dhe të përgatisin qëndrimet e tyre lidhur me çështjen, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 25 maj 2022, ora 12:30.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.