Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 10.05.2022, ora 09:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 4/2021, datë 21.05.2021, me ankues Enkeleida Hoxha, kundër vendimit nr.92, datë 17.03.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD).
Gjatë verifikimit të pranisë së palëve, gjyqtarja kryesuese e seancës njoftoi palët se I.E.V.P. Ali Demi ka njoftuar me anë të një shkrese të dërguar ditën e sotme përpara fillimit të seancës publike se ankuesja nuk mund të jetë e pranishme në seancë për shkaqe shëndetësore dhe psikologjike. Kolegji kreu verifikimet përkatëse në lidhje me shkakun e paraqitur nga ankuesja për të mos qenë e pranishme në këtë seancë, dhe nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve mori njoftim në rrugë elektronike se mjeku i I.E.V.P. ka konkluduar se ankuesja është në gjendje të mirë shëndetësore.
Duke patur parasysh sa më sipër, si dhe faktin se asnjë nga avokatët e përzgjedhur nga ankuesja sipas prokurës përkatëse nuk kanë paraqitur asnjë shkak për pamundësinë e tyre objektive për të marrë pjesë në seancë, pasi mori dhe mendimin e palëve të interesuara, përfaqësuesve të KLGJ dhe ILD, për vazhdimin e seancës, gjykata, pasi u konsultua, bazuar në nenin 38, pika 5 të ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar) vendosi vijimin e gjykimit në mungesë, duke i ftuar palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.
Në parashtrimin e konkluzioneve të tij përfundimtare, përfaqësuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor vlerësoi si të pambështetura pretendimet e magjistrates të paraqitura në ankim dhe përgjatë seancave gjyqësore, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimmarrjes së KLGJ.
Përfaqësuesja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u shpreh gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare se procedura e ndjekur në procesin disiplinor ka qenë në përputhje me procesin e rregullt ligjor, dhe se veprimet dhe mosveprimet e magjistrates janë konsideruar shkelje shumë të rënda disiplinore që kanë sjellë dhe shkarkimin e saj nga detyra, duke kërkuar në përfundim rrëzimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit të KLGJ.
Gjykata, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të subjekteve procedurale në këtë gjykim, vendosi të mblidhet në seancë në dhomë këshillimi për të vijuar me diskutimet për vendimmarrje lidhur me çështjen si dhe u bëri me dije palëve pjesëmarrëse në këtë gjykim se do të njoftohen nga sekretaria gjyqësore për datën e shpalljes së vendimit.