Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 12.05.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 13/2022, datë 24.02.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Petrit Bica kundër vendimit nr. 506, datë 31.01.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi i tij ligjor u dëgjuan nga trupi gjykues teksa paraqitën kundërshtimet ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 506, datë 31.01.2022, sipas të cilit “është deklaruar ndërprerja e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit Petrit Bica dhe ndalimi i emërimit të tij, si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.

Përfaqësuesi ligjor deklaroi se çështja e z. Bica, duhet të ishte trajtuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në referencë të dispozitave ligjore të përcaktuara në nenin 27 të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për pensionin e parakohshëm dhe jo si përfundim i procesit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se vendimi i KPK-së është i papranueshëm, i pabazur në prova dhe në ligj.

Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe një pyetjeje të njërës prej anëtareve të trupit gjykues rreth çështjes nën shqyrtim.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të marrë në administrim në cilësinë e provës aktet e përcjella bashkëlidhur ankimit nga subjekti i rivlerësimit, që nuk janë pjesë e fashikullit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, një akt të depozituar gjatë seancës së sotme, si dhe aktet e përcjella nga KPK-ja në Kolegj.

Pasi subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi subjektin e rivlerësimit të paraqesë konkluzionet përfundimtare.

Si kërkim përfundimtar, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 506, datë 31.01.2022, në pjesën arsyetuese, përshkruese dhe të dispozitivit, duke vendosur: “Të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar për z. Petrit Bica, pa një vendim përfundimtar të çështjes, për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura, është bërë i pamundur”.

Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të tërhiqet për të marrë vendimin përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 16 maj 2022, ora 13:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.