Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 20.05.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 22/2020, datë 26.06.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 229, datë 28.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Dritan Banushi.
Subjekti i rivlerësimit dhe avokati i tij depozituan prapësime shtesë lidhur me analizën financiare të përgatitur nga Komisioneri Publik, duke pretenduar se kjo analizë, ishte e paplotë, e gabuar, dhe në të, nuk përfshihej apo trajtohej asnjë e dhënë e paraqitur në prapësimet e subjektit të rivlerësimit.
Lidhur me denoncimin e ri të depozituar në Kolegj ditën e seancës së mëparshme gjyqësore, më 26 prill 2022, subjekti i rivlerësimit deklaroi se bëhej fjalë për një denoncim të përsëritur, lidhur me të cilin, Kolegji ishte shprehur me vendim të ndërmjetëm, se “lidhur me denoncimet nuk u gjendën fakte dhe rrethana të vlefshme për hetime të mëtejshme”.
Në vijim, Komisionerja Publike dhe subjekti i rivlerësimit iu përgjigjën disa pyetjeve sqaruese rreth çështjes, të drejtuara nga gjyqtarja relatore.
Bashkëlidhur përgjigjes lidhur me pyetjen e relatores rreth metodologjisë që ishte përdorur për përgatitjen e analizës financiare, Komisionerja Publike depozitoi pranë trupit gjykues një shkresë të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) mbi metodologjinë e llogaritjes së shpenzimeve të jetesës, të cilën, trupi gjykues vendosi ta pranojë në cilësinë e provës.
Pasi kjo provë iu vu në dispozicion subjektit të rivlerësimit, avokati kërkoi kohë për të analizuar dokumentin dhe për të përgatitur qëndrimin lidhur me të.
Për këtë arsye, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 27 maj 2022, ora 9:00. Gjatë kësaj séance, palët duhet të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare të çështjes.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.