Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 23.05.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 11/2020, datë 18.02.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Marjana Velçani kundër vendimit nr. 222, datë 12.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

 

Kryesuesja e seancës bëri me dije se subjektit të rivlerësimit i ishte përcjellë dokumentacioni i sjellë nga një bankë e nivelit të dytë, me kërkesë të Kolegjit, në funksion të shqyrtimit të çështjes.

 

Subjekti i rivlerësimit konfirmoi se ishte njohur me këtë dokumentacion, por, duke qenë se i rezultonte i paplotë, i kërkoi Kolegjit të përsëriste kërkesën drejtuar bankës, ose të pranonte në cilësinë e provës, aktet që vetë subjekti i rivlerësimit kishte siguruar nëpërmjet një kërkese drejtuar kësaj banke.

 

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës këto akte të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

 

Subjekti i rivlerësimit, znj. Marjana Velçani u dëgjua nga trupi gjykues teksa parashtroi në mënyrë të detajuar kundërshtimet e saj ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për të cilin, pretendoi se është i pabazuar në prova dhe në kundërshtim të plotë me ligjin.

 

Në mbështetje të pretendimeve të saj, subjekti i rivlerësimit, znj. Marjana Velçani, i kërkoi Kolegjit që në funksion të shqyrtimit të çështjes, të thërrasë dëshmitarë, eskpertë dhe të marrë në cilësinë e provës akte të tjera shtesë.

 

Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve sqaruese të gjyqtares relatore të çështjes.

 

Pasi u konsultua, bazuar në nenin 49, pika 6, germa “a” dhe “c”, të ligjit 84/2016, trupi gjykues vendosi të mos pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit, marrjen e provave të reja (thirrjen si dëshmitarë, ekspertë dhe akte të reja) duke i konsideruar ato si të panevojshme dhe mjetin e përzgjedhur për provueshmërinë e fakteve të caktuara, si të papërshtatshëm për gjykimin.

 

Pasi subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes.

 

Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 222, datë 12.12.2019 dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Marjana Velçani.

 

Trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 26 maj 2022, ora 9:30.

 

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.