Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 22 janar 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr. 9/2018, datë 19.07.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 22, datë 07.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Edmond Islamaj.
Gjatë seancës së sotme, subjektit të rivlerësimit dhe Komisionerit Publik iu dorëzua një kopje e të dhënave nga sistemi TIMS për hyrje-daljet nga territori i Shqipërisë për subjektin e rivlerësimit Edmond Islamaj dhe personave të lidhur me të, për periudhën 1 janar 2004 deri në 1 janar 2008, të dhëna këto që autoritetet shtetërore i vunë në dispozicion Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Trupi gjykues i kërkoi subjektit të rivlerësimit që pasi të njihet me dokumentacionin, të përcaktojë se cilat udhëtime janë bërë për shkak të pozitës zyrtare dhe cilat për qëllime private.
Bazuar në kërkesën e subjektit të rivlerësimit që kërkoi kohë për të bërë kategorizimin e udhëtimeve, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore ditën e martë, më datë 29.01.2019, ora 12.00.
Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.