Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 07.06.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 35/2020, datë 11.09.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 255, datë 08.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ludovik Dodaj.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit është në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për kontrollin e pasurisë dhe se nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë.

Komisioneri Publik deklaroi se lidhur me kriterin e vlerësimit profesional, nga aktet e administruara në dosjen e Komisionit, kishte konstatuar disa elementë, të cilët, i kërkoi Kolegjit t’i konsiderojë në rivlerësimin e subjektit Ludovik Dodaj, bazuar në vlerësimin tërësor të procedurave, sipas nenit 4, pika 2 dhe nenit 61/5 të ligjit nr. 84/2016.

Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit dhe në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 255, datë 8.6.2020 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit, duke pretenduar se janë të padrejta dhe deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar bindshëm ligjshmërinë e të ardhurave të tij. Në mbështetje të parashtrimeve, subjekti i rivlerësimit paraqiti disa akte, të cilat kërkoi të merren si provë nga trupi gjykues, si dhe i kërkoi Kolegjit riçeljen e pjesshme të hetimit gjyqësor të çështjes.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e listuara nga përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit, në seancën  e sotme gjyqësore. Me shumicë votash, trupi gjykues vendosi gjithashtu, t’i kërkojë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, një dosje gjyqësore, në funksion të shqyrtimit të çështjes.

I pyetur nga kryesuesja e seancës, Komisioneri Publik deklaroi se lidhur me provat e administruara nga Kolegji, rezervonte të drejtën të shprehej pasi të njihej me dosjen gjyqësore, që referohej në vendimin e ndërmjetëm të trupit gjykues.

Trupi gjykues, në pritje të administrimit të dosjes gjyqësore nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 27.6.2022, ora 10:00, dhe ftoi palët të përgatiten edhe për konkluzionet përfundimtare të çështjes.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.