Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 09.06.2021, ora 09:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 19/2021, datë 19.04.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elbana Lluri.
Në vijim të seancës së mëparshme, palët konfirmuan njohjen me aktet që janë pjesë e fashikullit të çështjes së ish – bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit dhe shprehën qëndrimet e tyre lidhur me analizën financiare të përgatitur nga Kolegji, të mbështetur në shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik.
Komisioneri Publik deklaroi se analiza financiare pasqyron të gjitha kërkesat e ngritura në shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, paraqiti prapësimet e saj lidhur me analizën financiare, duke pretenduar se është një analizë e pasaktë, e padrejtë dhe në të, nuk përfshihen të gjitha të dhënat mbi të ardhurat e personave të lidhur me subjektin e rivlerësimit. Subjekti i rivlerësimit paraqiti disa akte të reja bashkëlidhur prapësimeve, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues. Subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë prapësimet e saj për analizën financiare të përgatitur në funksion të ankimit të Komisionerit Publik, si dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 342, datë 02.02.2021 të Komisionit të Pavaur të Kualifikimit.
Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të relatores, në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës një akt të depozituar nga subjekti i rivlerësimit, të lëshuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Sa i përket denoncimeve të publikut, trupi gjykues vlerësoi që nuk plotësojnë kushtet e nenit 53, të ligjit 84/2016.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancës e radhës, më datë 22.06.2022, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.