Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 20.06.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2021, datë 04.10.2021, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 392, datë 28.05.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Natasha Prifti (Shallapi).
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisionerja Publike deklaroi se subjekti i rivlerësimit është në kushtet e deklarimit të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe kontradiktor për kontrollin e pasurisë, duke mos arritur nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit dhe pas vlerësimit tërësor të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 392, datë 28.05.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Natasha Prifti (Shallapi).
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike, duke pretenduar se subjekti i rivlerësimit nuk gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë, por arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Në mbështetje të këtyre pretendimeve, përfaqësuesi ligjor kishte bërë pjesë të prapësimeve edhe një analizë financiare që e depozitoi në Kolegj. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të vlerësojë si të drejtë vendimin nr. 392, datë 28.05.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit – sipas të cilit, subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe figurës, si dhe nivel kualifikues për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale – dhe ta lërë në fuqi këtë vendim.
Pasi subjekti i rivlerësimit, znj. Prifti, iu përgjigj disa pyetjeve sqaruese të relatores në funksion të shqyrtimit të çështjes dhe pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe i ftoi palët të paraqesnin konkluzionet përfundimtare.
Duke qenë se Komisionerja Publike kërkoi kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 27.06.2022, ora 14:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.