Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 27.06.2022, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2021, datë 04.10.2021, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 392, datë 28.05.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Natasha Prifti (Shallapi).
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisionerja Publike deklaroi se subjekti i rivlerësimit është në kushtet e deklarimit të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe kontradiktor për kontrollin e pasurisë dhe se gjatë shqyrtimit në Kolegj nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit. Komisionerja Publike deklaroi se ndan qëndrim të kundërt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që ka vendosur konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, duke u bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit. Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 392, datë 28.05.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Natasha Prifti (Shallapi).
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kundërshtoi Komisioneren Publike, duke deklaruar se znj. Prifti arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, pasi pamjaftueshmëria financiare e saj është në nivele të tilla, që nuk përbën shkak për shkarkim nga detyra. Përfaqësuesi ligjor i kërkoi Kolegjit që për këtë kriter, ta vlerësojë subjektin e rivlerësimit nën dritën e parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, si dhe të marrë në konsideratë faktin që znj. Prifti arrin nivel të besueshëm në kriterin e figurës dhe nivel të mirë kualifikues në kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale. Përfaqësuesi ligjor i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 392, datë 28.05.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si një vendim i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 4 korrik 2022, ora 09:30.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.