Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 04.07.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 9/2022, datë 15.02.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 491, datë 21.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gjon Kodra.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit paraqiti një kërkesë paraprake, nëpërmjet së cilës i kërkoi Kolegjit riçelje të pjesshme të hetimit dhe depozitimin e disa akteve bashkëngjitur parashtrimeve, që nuk ishin përfshirë në procesin e rivlerësimit të zhvilluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Trupi gjykues vlerësoi se kjo kërkesë e subjektit të rivlerësimit nuk ishte paraprake, po kishte të bënte me shqyrtimin në themel të çështjes dhe do të trajtohej në vijim, gjatë procesit, pasi trupi gjykues të dëgjonte parashtrimet respektive të palëve.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë dhe i kërkoi Kolegjit hetim të thelluar nëpërmjet kryerjes së një analize të plotë financiare në këtë kuadër. Komisioneri Publik deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit është i cënueshëm në tërësinë e tij lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, por edhe për shkak të një situate të mundshme konflikti interesi gjatë ushtrimit të detyrës të z. Gjon Kodra. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit dhe pas një vlerësimi tërësor të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 491, datë 21.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Gjatë paraqitjes së prapësimeve të tij, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik për kriterin e pasurisë, duke deklaruar se vendimi nr. 491, datë 21.12.2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për këtë kriter, është i saktë, objektiv dhe i bazuar në ligj. Lidhur me pretendimin e Komisionerit Publik për konflikt të mundshëm interesi gjatë ushtrimit të detyrës, përfaqësuesi ligjor deklaroi se nuk qëndron, është i pabazuar dhe në tejkalim të dispozitave ligjore. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 491, datë 21.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi me shumicë votash t’i kërkojë Komisionerit Publik kryerjen e një analize të plotë financiare për çështjen dhe depozitimin në Kolegj të saj brenda datës 12 korrik 2022. Kjo analizë financiare do t’i përcillet edhe subjektit të rivlerësimit për t’u njohur dhe për të mbajtur qëndrim.

Trupi gjykues vendosi gjithashtu, të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke administruar si provë aktet bashkëlidhur parashtrimeve të subjektit të rivlerësimit, pjesë e kërkesës paraprake të tij, gjatë fillimit të seancës.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën e sotme gjyqësore për në datën 18 korrik 2022, ora 10:00, gjatë së cilës, palët duhet të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.