Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 27.07.2022, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 29/2020, datë 16.07.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ardit Mustafaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 245, datë 05.03.2020.
Subjekti i rivlerësimit u dëgjua nga trupi gjykues, teksa paraqiti kundërshtimet e tij ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 245, datë 05.03.2020, duke deklaruar se ky vendim, i bazuar në shkaqe që lidhen vetëm një kriter, atë të pasurisë, është i njëanshëm, me konstatime të gabuara, arbitrare dhe në kundërshtim të plotë me parimin e proporcionalitetit. Subjekti i rivlerësimit kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen në cilësinë e provës të disa akteve të reja, për të cilat, deklaroi se nuk janë paraqitur gjatë procesit administrativ në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, jo për faj të tij.
Në vijim, trupi gjykues, i konsultuar, vendosi:
– Të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në fashikullin gjyqësor, aktet e përcjella nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
– Me shumicë votash, bazuar në nenin 47, të ligjit 49/2012 si dhe në nenet 45 dhe 49 të ligjit 84/ 2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të administrojë në cilësinë e provës aktet, të cilat subjekti i rivlerësimit i ka paraqitur në ankim, në parashtrime dhe në shpjegimet e depozituara në seancën e sotme, për objektin “ndërtesë”, 1+1, në Sarandë.
– Të administrojë në fashikullin gjyqësor të çështjes një akt ekspertimi, të përpiluar në shkurt 2020, të paraqitur në seancën e sotme, pavarësisht se nuk përbën provë të re.
– Me shumicë votash, të pranojë si provë dokumentet që lidhen me të ardhurat e bashkëshortes nga mësimdhënia, dhuratat nga prindërit e personit të lidhur, depozitën e kursimit në Bankën e Kursimeve, të cilat janë specifikuar në shpjegimet e depozituara në seancën e sotme.
– Aktet e titulluara “të tjera”, trupi gjykues i konsideron si akte procedurale të administruara në fashikullin gjyqësor, në funksion të vendimit që ai ka marrë për gjykimin e kësaj cështjeje në seancë publike.
– Trupi gjykues vendosi të refuzojë të marrë në cilësinë e provës aktet, të cilat nuk plotësojnë kërkesat e nenit 47 të ligjit 49/2012 dhe që konsiderohen si të panevojshme, në kuptim të nenit 49 të ligjit 84/2016, dhe që lidhen me një hua të marrë nga subjekti i rivlerësimit, uljen e shpenzimeve për jetesën dhe joproporcionalitetin e ndërhyrjes në të drejtën private dhe familjare, të specifikuara në shpjegimet e depozituara në seancën e some, si dhe ato prezantuara sot nga subjekti i rivlerësimit në lidhje me huanë.
Pas vendimit të ndërmjetëm, duke qenë se subjekti i rivlerësimit nuk kishte kërkesa të tjera procedurale, trupi gjukues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të cështjes dhe e ftoi subjektin e rivlerësimit të paraqesë konkluzionet përfundimtare.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të rrëzojë konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për deklarim të pamjaftueshëm dhe mungesë burimesh të ligjshme lidhur me kriterin e pasurisë, pasi sipas tij, bien në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe jurisprudencën e Kolegjit. Në referencë të vendimit të KPK-së, subjekti i rivlerësimit deklaroi se masa e largimit të tij nga detyra nuk është proporcionale në raport me qëllimin që synon të arrijë ligji 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 245, datë 05.03.2020 dhe konfirmimin në detyrë, duke ndryshuar konkluzionet e KPK-së për vlerësimin e kriterit të pasurisë dhe duke vlerësuar se ka arritur nivel të besueshëm edhe në këtë kriter.
Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 21 shtator 2022, ora 13:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.