Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 18.07.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 9/2022, datë 15.02.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 491, datë 21.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gjon Kodra.
Në vijim të seancës së mëparshme, pasi konfirmoi njohjen me analizën e plotë financiare të përgatitur nga Komisioneri Publik, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit mbajti qëndrimin lidhur me të. Përfaqësuesi ligjor deklaroi se, lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, subjekti i rivlerësimit arrin të provojë në mënyrë të pakontestueshme se bëhet fjalë për pasaktësi në deklarim dhe jo tentativë për fshehje të ardhurash.
Në vijim të seancës, vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, në referencë edhe të gjetjes së paraqitur prej tij për kriterin e vlerësimit të figurës, i drejtoi subjektit të rivlerësimit disa pyetje sqaruese lidhur me këtë kriter.
Lidhur me denoncimet e publikut, Komisioneri Publik deklaroi se nuk janë gjetur shkaqe të tilla, që do të bënin të nevojshëm shqyrtimin e mëtejshëm të tyre.
Pas konsultimit, kryesuesja e trupit gjykues deklaroi se në përmbajtjen e denoncimeve të publikut nuk ka fakte apo rrethana, të cilat mund të konsiderohen të vlefshme për të plotësuar kriteret e nenit 53, të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqëtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Trupi gjykues vendosi të verifikojë në burim, në institucionin, ku është administruar informacioni në të cilin është bazuar gjetja e paraqitur nga vëshguesi ndërkombëtar për kriterin e figurës, lidhur me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Duke qenë se ky veprim do të kryhet për administrim të një informacioni të klasifikuar, ai do të bëhet pa prezencën e palëve pjesëmarrëse në këtë gjykim. Me qëllim kryerjen e këtyre veprimeve, seanca gjyqësore do të shtyhet për në datën 22 korrik 2022, ora 08.30.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.