Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 22.07.2021, ora 08:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 9/2022, datë 15.02.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 491, datë 21.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gjon Kodra.
Në zbatim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, të datës 18 korrik 2022, kryesuesja bëri me dije se trupi gjykues ka kryer verifikimin në burim të informacionit, në të cilin është bazuar gjetja e paraqitur nga vëshguesi ndërkombëtar për kriterin e figurës.
Në vijim, kryesuesja deklaroi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ftoi palët të paraqisnin konkluzionet përfundimtare të çështjes.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit, se ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë dhe se nuk arrin të justifikojë burime të ligjshme për krijimin e pasurisë së tij.
Lidhur me kriterin e figurës, Komisioneri Publik, në zbatim të rekomandimit të ONM-së, parashtrimeve me shkrim të seancës së datës 4 korrik 2022, si dhe në përmbajtjen e gjetjes së vëzhguesit ndërkombëtar, e cila, në referencë të pikës 10, të nenit 49, të ligjit nr.84/2016, përbën provë që dëshmon një fakt, rrethanë apo standard ligjor, vlerëson se edhe pse mënyra dhe koha e kontaktit në këtë rast, përbën rrethanë lehtësuese, ajo duhet vlerësuar në kuptim të nenit 4, pika 2, të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisioneri Publik, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 491, datë 21.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gjon Kodra.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit deklaroi se, gjatë procesit të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit arriti të provojë në mënyrë të pakontestueshme ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurisë, duke kaluar testin e vlerësimit për këtë kriter. Përfaqësuesi ligjor deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka vlerësim të besueshëm për kriterin e figurës dhe ka arritur nivel të mirë kualifikues lidhur me kriterin e aftësive profesionale. Përfundimisht, përfaqësuesi ligjor i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 491, datë 21.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Gjon Kodra.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 27 korrik 2022, ora 15:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.