Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 14.09.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 34/2020, datë 10.09.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Entela Shedula kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 254, datë 04.06.2020.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Entela Shedula u dëgjua nga trupi gjykues teksa paraqiti kundërshtimet e saj ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 254, datë 04.06.2020, duke deklaruar se ky vendim, me konkluzione vetëm për kriterin e pasurisë, është marrë në shkelje të standardeve të procesit të rregullt ligjor dhe në mospërputhje me provat e administruara.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Entela Shedula, i kërkoi Kolegjit marrjen në cilësinë e provës të dy akteve bashkëlidhur parashtrimeve të seancës së sotme gjyqësore, të paraqitura në mbështetje të pretendimeve të saj.

Pasi subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve sqaruese të relatorit të çështjes, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe ftoi subjektin e rivlerësimit, znj. Entela Shedula, të paraqesë konkluzionet përfundimtare.

Me kërkesë të subjektit të rivlerësimit për kohë të mjaftueshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 20 shtator 2022, ora 9:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.