Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 5 shkurt 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr.13/2018, datë 07.09.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.32, datë 05.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Alma Brati.

Gjatë seancës së sotme, trupi gjykues i dorëzoi subjektit të rivlerësimit dhe Komisionerit Publik kopje të dokumenteve të lëshuara nga institucione shtetërore në vend, me kërkesë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në funksion të hetimit të çështjes. Ndërkohë, trupi gjykues është ende në pritje të një dokumenti nga autoritetet tatimore italiane, kërkuar nëpërmjet Ministrisë së Drejtesisë së Republikës së Shqipërisë.

Komisioneri Publik kërkoi revokimin e vendimit për marrjen e këtij dokumenti nëpërmjet autoriteteve shtetërore italiane, duke ia lënë subjektit të rivlerësimit barrën e sjelljes së kësaj prove sipas një formulari tip të përcaktuar.

Trupi gjykues vendosi:

  • të mos pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për revokimin e vendimit për marrjen e provës nga autoritetet tatimore italiane;
  • të mos pranojë kërkesën e Komisionerit Publik, në këtë moment procedural, për kalimin e barrës së provës subjektit të rivlerësimit Alma Brati;
  • subjekti i rivlerësimit Alma Brati ka të drejtë të paraqesë aktet që vërtetojnë pagimin e tatimeve në Itali, nga persona të lidhur me të.

Në pritje të dokumenteve të kërkuara në cilësinë e provës, trupi gjykues shtyu seancën publike më datë 11.03.2019, ora 10.00.

Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.