Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 05.12.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 47/2020, datë 22.10.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 264, datë 17.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Toro.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit riçelje të hetimit gjyqësor me qëllim kryerjen e një analize financiare bazuar në një rivlerësim të mundësive financiare të personave të lidhur dhe të tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit. Lidhur me denoncimet, Komisioneri Publik deklaroi se nuk përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për t’iu shtuar ankimit.

Gjatë paraqitjes së prapësimeve lidhur me shkaqet e ankimit, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit çeljen e hetimit gjyqësor si dhe marrjen në cilësinë e provës të akteve të reja që i depozitoi gjatë seancës së sotme gjyqësore, bashkëlidhur parashtrimeve.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes dhe të pranojë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit gjatë seancës së sotme. Lidhur me denoncimet, trupi gjykues vlerësoi se nuk përmbushin kriteret e nenit 53 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe për rrjedhojë, nuk do t’i nënshtrohen hetimit të mëtejshëm në Kolegj.

Me shumicë votash, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për kryerjen e analizës financiare paraprake në Kolegj dhe vënien e saj në dispozicion palëve brenda datës 15 dhjetor 2022.

Për të pasur në dispozicion kohë të mjaftueshme për të debatuar analizën financiare paraprake, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 21 dhjetor 2022, ora 10:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.