Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 19.12.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 50/2020, datë 18.11.2020, që i përket ankimit të Komisioneres Publike, znj. Irena Nino, kundër vendimit nr. 257, datë 12.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Miranda Andoni.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisionerja Publike deklaroi se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe se nuk arriti të provonte të kundërtën e shkaqeve të ankimit as për kriterin e aftësive profesionale. Përfundimisht, Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 257, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Miranda Andoni.
Pasi Komisionerja Publike iu përgjigj pyetjeve sqaruese të relatorit të çështjes lidhur me kriterin e pasurisë, subjekti i rivlerësimit, znj. Miranda Andoni, paraqiti konkluzionet përfundimtare të çështjes.
Duke kundërshtuar qëndrimin e Komisioneres Publike, subjekti i rivlerësimit deklaroi se ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe figurës dhe nivel kualifikues në kriterin profesional. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 257, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Trupi gjykues, pasi dëgjoi konkluzionet e palëve, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 20.12.2022, ora 14:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.