Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 21.12.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 47/2020, datë 22.10.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 264, datë 17.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Toro.

Në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës paraardhëse, palët debatuan analizën financiare paraprake të kryer në Kolegj. Gjatë debatit gjyqësor, relatorja e çështjes u drejtoi disa pyetje sqaruese Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit, znj. Elona Toro, e cila kërkoi kohë të arsyeshme në dispozicion për përgatitjen e përgjigjeve lidhur me pyetjet.

Lidhur me dy denoncime të publikut, Komisioneri Publik deklaroi se ato nuk përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për hetime të mëtejshme, ndërsa subjekti i rivlerësimit deklaroi se ka depotizuar në Kolegj aktet që rrëzojnë pretendimet e ngritura në këto denoncime.

Pasi dëgjoi qëndrimet e palëve dhe vlerësoi aktet e paraqitura prej subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të mos hetojë kryesisht lidhur me këto denoncime, pasi ato nuk plotësojnë kërkesat e nenit 53 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Trupi gjykues pranoi kërkesën e subjektit të rivlerësimit për kohë të mjaftueshme, duke vendosur shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 10 janar 2023, ora 10:00. Gjatë kësaj séance do të vijohet me debatin gjyqësor rreth analizës financiare paraprake, si dhe palët duhet të jenë të përgatitura për konkluzionet përfundimtare të çështjes.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.