Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 24.01.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 49/2020, datë 16.11.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 275, datë 20.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Enkeleda Osmani (Xhengo).
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e pasurisë, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit, znj. Enkeleda Osmani (Xhengo) është në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe se nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 275, datë 20.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit paraqiti prapësimet lidhur me shkaqet e ankimit dhe i kërkoi Kolegjit që gjatë kryerjes së analizës financiare, t’i vlerësojë e t’i mbajë në konsideratë ato. Përfaqësuesi ligjor kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes, marrjen në cilësinë e provës të disa akteve të reja që paraqiti gjatë seancës së sotme, si dhe, i kërkoi Kolegjit konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Enkeleda Osmani (Xhengo), pasi të vlerësojë se arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes dhe të pranojë në cilësinë e provës aktet e reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit. Lidhur me disa denoncime të mbërritura në Kolegj, trupi gjykues vlerësoi se nuk përmbajnë fakte dhe rrethana për hetime të mëtejshme.
Lidhur me provat e reja, Komisioneri Publik deklaroi se do të mbajë qëndrimin e tij gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera proedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancës e radhës, më datë 03.02.2023, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.