Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 02.02.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 49/2020, datë 16.11.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 275, datë 20.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Enkeleda Osmani (Xhengo).
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se, pas vlerësimit të parashtrimeve të subjektit të rivlerësimit dhe provave të reja bashkëlidhur tyre, subjekti i rivlerësimit, znj. Enkeleda Osmani (Xhengo), gjendet në kushtet e pamjaftueshmërisë financiare për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë e saj.
Në përmbyllje të konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 275, datë 20.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit deklaroi se pretendimet e Komisionerit Publik nuk qëndrojnë dhe nuk janë në koherencë me provat e depozituara.
Në përmbyllje të konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi ligjor i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 275, datë 20.07.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi vlerësuar nën dritën e parimeve të objektivitetit dhe proporcionalitetit, subjekti i rivlerësimit, znj. Enkeleda Osmani (Xhengo) arrin nivel të besueshëm edhe për kriterin e pasurisë, sikurse për dy kriteret e tjera, të figurës dhe kriterit të vlerësimit profesional, që nuk kanë qenë pjesë e ankimit të Komisionerit Publik.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 16 shkurt 2023, ora 16:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.