Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 07.02.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 24/2022, datë 03.06.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 519, datë 25.03.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Gramshi.
Subjekti i rivlerësimit, z. Kastriot Gramshi, paraqiti një kërkese paraprake, nëpëmjet së cilës kërkoi që gjatë procesit gjyqësor në Kolegj, përveçse nga avokati Julian Mërtiri, të përfaqësohej edhe nga shtetësja e huaj, znj. Katheleen Ann Imholz.
Lidhur me këtë kërkesë, Komisioneri Publik deklaroi se bazuar në nenin 176 të Kodit të Procedurës Civile e lë në çmim të gjykatës vendimin për legjitimimin e palëve në proces.
Pasi shqyrtoi dokumentacionin bashkëlidhur kërkesës, trupi gjykues vendosi të mos e pranojë atë, me arsyetimin se nuk plotësohen kushtet e nenit 23 të ligjit 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti një tjetër kërkesë paraprake, nëpërmjet së cilës i kërkoi Kolegjit të përcaktonte legjislacionin e zbatueshëm në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Lidhur me këtë kërkesë, Komisioneri Publik deklaroi se juridiksioni i Kolegjit përcaktohet nga Kushtetuta, ligji 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe legjislacioni ndihmës i procesit.
Trupi gjykues vlerësoi se kjo kërkesë nuk bën pjesë në rrethin e kërkesave paraprake, megjithatë qartësoi se legjislacioni i zbatueshëm nga Kolegji përcaktohet nga Aneksi i Kushtetutës, ligji 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe çdo ligj tjetër që i vjen në ndihmë procesit.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e pasurisë, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe se nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë e tij. Komisioneri Publik deklaroi se referuar gjendjes së provave, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë, ndaj kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 519, datë 25.03.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Gramshi.
Perfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke vlerësuar se pretendimet e ngritura në to nuk qëndrojnë dhe se kanë bazë të tyre interpretimin e gabuar të ligjit. Përfaqësuesi ligjor deklaroi se subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe atë të figurës, si dhe nivel të mirë kualifikues në kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, ndaj, kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 519, datë 25.03.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Kastriot Gramshi.
Bashkëngjitur prapësimeve subjekti i rivlerësimit depozitoi disa akte të reja, një prej të cilëve u pranua në cilësinë e provës nga trupi gjykues, ndërsa të tjerët u refuzuan, por, duke qenë se gjenden në burime të hapura zyrtare, do të aksesohen dhe vlerësohen nga trupi gjykues, nën dritën e nenit 49, pika 4, të ligjit 84/2016.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesnin konkluzionet përfundimtare.
Me kërkesë të subjektit të rivlerësimit për kohë të mjaftueshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 14 shkurt 2023, ora 15:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.