Sot, më datë 13.02.2023, ora 10:00, Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 7/2021, datë 28.01.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 287, datë 04.08.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anita Mici.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se, pas vlerësimit të parashtrimeve të subjektit të rivlerësimit dhe provave bashkëlidhur tyre, subjekti i rivlerësimit, në lidhje me kriterin e pasurisë nuk arriti të provojë të kundërtën e pretendimeve dhe gjendet në kushtet e pasaktësisë dhe pamjaftueshmërisë financiare për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë e saj.

Përsa i përket vlerësimit të aftësive profesionale, Komisioneri Publik vlerësoi se gjetjet e raporteve mbi vlerësimin profesional të subjektit të rivlerësimit, të kryera nga organet gjyqësore dhe ato ndihmëse të procesit të rivlerësimit janë të bazuara dhe duhet të merren parasysh nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Në përmbyllje të konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 287, datë 04.08.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit deklaroi se pretendimet e Komisionerit Publik nuk qëndrojnë dhe nuk janë të bazuar në fakte e ligj.

Në përmbyllje të konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 287, datë 04.08.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi duke patur parasysh parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit, subjekti i rivlerësimit Anita Mici arrin nivel të besueshëm si për kriterin e pasurisë ashtu dhe për kriterin e vlerësimit profesional.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 23 shkurt 2023, ora 15:30.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.