Sot, më datë 14.02.2023, ora 15:00, Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 24/2022, datë 03.06.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 519, datë 25.03.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Gramshi. 

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se edhe pas paraqitjes së akteve të reja dhe parashtrimeve në seancën e mëparshme, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë pasaktësinë në deklarim dhe pamjaftueshmërinë e dokumentimit të të ardhurave për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë e tij. 

Në përmbyllje të konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik, bazuar edhe në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit,  i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 519, datë 25.03.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.   

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit deklaroi pamundësinë objektive për sigurimin e dokumentacionit përkatës, konsideroi se rekomandimi i ONM-së, ashtu dhe ankimi i Komisionerit Publik nuk kishin përcaktuar bazën ligjore ku e mbështesnin ankimin, dhe se pretendimet e Komisionerit Publik nuk janë të bazuara në fakte e prova.

Në përmbyllje të konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit, dhe përfaqësuesi i tij ligjor, konsideruan se vendimi nr. 519, datë 25.03.2022 i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i drejtë dhe i kërkuan Kolegjit lënien e tij në fuqi. 

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 2 mars 2023, ora 15:30.  

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.