Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ina Rama, Luan Daci, Sokol Çomo anëtarë, vlerëson se subjekti i rivlerësimit Astrit Faqolli ka kryer deklarim të pamjaftueshëm sipas pikës 3, të nenit 61, të ligjit nr.84/2016 dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e pasurisë, sipas nenit D, pikave 1, 3 dhe 5 të Aneksit të Kushtetutës.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në konkluzionet e mësipërme, në mbështetje të nenit D, pika 1, 3 dhe 5 të Aneksit të Kushtetutës, si dhe nenit 61, pika 3 të ligjit nr.84/2016, vlerëson se vendimi nr. 47, datë 25.07.2018, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duhet ndryshuar.
Për këto arsye, trupi gjykues, në mënyrë unanime, mbështetur në faktet e provuara në gjykim, në zbatim të nenit D, pikat 1 dhe 3, të Aneksit të Kushtetutës dhe të neneve 61, pika 3 dhe 66, pika 1, germa “b”, të ligjit nr.84/2016 “për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi:
- Ndryshimin e vendimit nr. 47, datë 25.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Astrit Faqolli, gjyqtar pranë gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
- Ky vendim është përfundimtar, me efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 18.04.2019.