Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli sot, më datë 06.10.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për shpalljen e vendimit të çështjes (JR) 9/2021, datë 02.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 318, datë 03.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Kujtim Luli.
Para shpalljes së vendimit, kryesuesja e seancës, në emër të trupit gjykues, relatoi si vijon:
Më datë 05.10.2023, Këshlli i Lartë i Prokurorisë ka përcjellë në Kolegj vendimin nr. 314, marrë më datë 05.10.2023, nëpërmjet të cilit, ka vendosur deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës së pensionit të pleqerisë për subjektin e rivleresimit Kujtim Luli. Në të njëjtën ditë, Kolegji mori kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të ndërprerë procesin e rivlerësimit për të, për shkak se subjekti i rivleresimit nuk gëzon më statusin e magjistratit.
Trupi gjykues i Kolegjit, në datën 3 tetor 2023, ka marrë vendimin për procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Kujtim Luli, vendim i cili, është caktuar të shpallet diten e sotme. Në këto kushte, kur vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kërkesa e subjektit të rivlerësimit kanë ardhur pasi trupi gjykues i Kolegjit kishte marrë vendimin, ato janë absolutisht të papranueshme, sepse janë paraqitur jashtë çdo afati procedural dhe pasi vendimi përfundimtar për procesin e rivlerësimit ishte marrë.
Përpos sa më sipër, trupi gjykues, konstaton se vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nr. 314, datë 05.10.2023, ndonëse në pikën 4 të tij, parashikon që hyn në fuqi menjëherë, ai bie ndesh me ligjin nr. 115/2016, nenin 192, pika 1, i cili parashikon shprehimisht se, “ndaj aktit administrativ individual të Keshillit, mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve nga data e njoftimit në Gjykatën Administrative të Apelit, përvecse kur parashikohet ndryshe në ligj.”. Me fjalë të tjera, vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorise nuk ka hyrë ende në fuqi.
Ndonëse ky argument nuk është relevant për mosmarrjen në konsideratë të akteve të mësipërme, trupi gjykues i Kolegjit e vlerësoi të rendësishëm për ta sjellë në vëmendje të publikut.
Në vijim, trupi gjykues shpalli vendimin e marrë në datën 3 tetor 2023, për çështjen (JR) 9/2021, datë 02.03.2021, që i përket subjektit të rivlerësimit Kujtim Luli:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 9/2021, datë 02.03.2021 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 318, datë 03.12.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kujtim Luli.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
- Ndryshimin e vendimit nr. 318, datë 03.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Kujtim Luli.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, më datë 06.10.2023, në Tiranë.