Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Albana Shtylla relatore, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, anëtarë, sot, më datë 31 janar 2019, ora 12.00 shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 15/2018, datë 11.09.2018 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Artan Lazaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 34, datë 11.07.2018.

Trupi gjykues vlerëson se mosshqyrtimi i kërkesës së subjektit të rivlerësimit Artan Lazaj për përjashtimin nga gjykimi i mëtejshëm i komisioneres Bekteshi nga një trup tjetër gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, përbën shkelje të rëndë procedurale, duke cënuar parimin e procesit të rregullt ligjor dhe atë të gjykimit nga një gjykatë e paanshme; për pasojë është i pavlefshëm. Për këto arsye, trupi gjykues vendos prishjen e vendimit nr. 34, datë 11.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pavarësisht se Kolegji i Posaçëm i Apelimit e gjen vendimin nr. 34, datë 11.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të pavlefshëm dhe e prish atë, bazuar në nenin F, pika 3 të Aneksit të Kushtetutës nuk mund të kthejë për rishqyrtim në Komision çështjen e rivlerësimit të subjektit Artan Lazaj, por ka kryer vetë rivlerësimin e tij që nga momenti i konstatimit të shkeljes së rëndë procedurale gjatë zhvillimit të seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Trupi gjykues, pasi bëri shqyrtim të plotë të ankimit në seancë gjyqësore publike, me shumicë votash, bazuar në nenet D, pikat 3 e 5 dhe F, pika 3 të Aneksit të Kushtetutës, nenet 33, 61, pika 3 dhe 66, pika 1, shkronja “c” e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”,

Vendosi:

  1. Prishjen e vendimit nr. 34, datë 11.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Artan Lazaj.
  2. Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Artan Lazaj.
  3. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Pakica e përbërë nga gjyqtarët anëtarë Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz votoi kundër vendimit, pasi ishte për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 34, datë 11.07.2018.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 31.01.2019.