2025-02-13 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 27.01.2025, ora 11:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 10/2022, datë 15.02.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 479, datë 03.12.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Arben Dosti.
Në fillim të seancës së sotme, e caktuar për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes, me qëllim pranimin si provë të disa akteve, të cilat për pamundësi objektive, nuk kishte arritur t’i siguronte në kohën e duhur.
Lidhur me këtë kërkesë të subjektit të rivlerësimit, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se nuk ndodhemi në kushtet e riçëljes së hetimit dhe u shpreh për rrëzimin e saj.
Trupi gjykues vendosi të revokojë vendimin për mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ta riçelë atë, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit.
Pas mbylljes së hetimit gjyqësor, palët u ftuan në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Altin Dumani, deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe nuk arriti të provojë burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë së tij. Lidhur me kriterin e vlerësimit të figurës, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme vlerësoi se edhe gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, raporti i AKSIK mbi kontrollin e figurës për subjektin e rivleresimit, mbetet akti i referuar, përsa përmban si konstatim. Duke kërkuar që rrethanat e debatuara gjatë këtij procesi lidhur me vlerësimin e aftësive profesionale, të merren në konsideratë nga Kolegji në kuadër të vlerësimit të tri kritereve, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi përfundimisht ndryshimin e vendimit nr. 479, datë 03.12.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit rivlerësimit Arben Dosti.
Subjekti i rivlerësimit dha shpjegime mbi çështjet e referuara në shkaqet e ankimit për të trija kriteret e rivlerësimit, duke pretenduar të kundërtën e tyre. Në përmbyllje të prapësimeve të tij, subjekti i rivlerësimit kërkoi përfundimisht konfirmimin në detyrë.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi të tërhiqet në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 13.02.2025, ora 15:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.