Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11.07.2025, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 7/2023, datë 14.02.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 605, datë 21.12.2022, për subjektin e rivlerësimit Armida Hamiti (Moçka).
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, z. Adnan Xholi, i autorizuar si përfaqësues i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në këtë seancë, deklaroi se pas shqyrtimit të çështjes në Kolegj, bazuar në gjendjen që janë aktet, rezulton se problematikat e evidentuara në kriterin e vlerësimit të pasurisë, nuk janë të tilla që të mund të justifikonin sanksionin e shkarkimit nga detyra të subjektit të rivlerësimit, ndërkohë që nuk vërehet asnjë indicie apo dyshimi lidhur me dy kriteret e tjera, profesionalizmin dhe figurën. Z. Xholi deklaroi se, nisur nga sa më sipër, por edhe për shkak të specifikave të këtij rasti, ku rezulton se subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë në detyrën e prokurores apo në ndonjë funksion tjetër publik në kohën e krijimi të pasurive të deklaruara dhe nuk ka patur mundësi të ndikojë nëpërmjet abuzimit me detyrën në krijimin e tyre, përfundimisht, i kërkon Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 605, datë 21.12.2022.
Subjekti i rivlerësimit vijoi me konkluzionet përfundimtare, duke deklaruar se ka arritur të përmbysë barrën e provës si dhe të provojë bindshëm ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurisë. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 605, datë 21.12.2022.
Në vijim, vëzhguesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit pyeti përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me sqarimin rreth kërkimit përfundimtar. Në përgjigje të pyetjes, z. Xholi sqaroi kërkimin përfundimtar të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke konfirmuar se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezultoi i drejtë dhe i bazuar në prova dhe në ligj.
Trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 17.07.2025, ora 09:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.