Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 23.09.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2023, datë 24.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 704, datë 09.10.2023, për subjektin e rivlerësimit Elidon Hysenaj.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho, i pranishëm në seancë.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ndryshe nga sa ka vendosur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, provat në dosje janë të pamjaftueshme për të vlerësuar nëse subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, si dhe se është i nevojshëm verifikimi në burim, pranë agjencive ligjzbatuese, i këtyre të dhënave. Duke iu referuar procedimeve penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit, z. Klodian Braho deklaroi se mbetet e paargumentuar qartë ndërmarrja e veprimeve hetimore prej tij dhe i kërkoi Kolegjit që në mënyrë alternative, në rezultat të provave të reja që do të administrohen gjatë këtij procesi gjyqësor, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 704, datë 09.10.2023 ose lënien në fuqi të tij. Lidhur me denoncimet e publikut, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se ato nuk përmbajnë rrethana me ndikim për çështjen.
Në prapësim të shkaqeve të ankimit, subjekti i rivlerësimit deklaroi se pretendimet e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme nuk qëndrojnë dhe nuk janë të bazuara në provat e ndodhura në fashikujt penalë të çështjeve të trajtuara. Z. Hysenaj dha shpjegime të detajuara lidhur me veprimet hetimore të ndërmarra për secilin prej procedimeve penale të përfshira në ankim dhe paraqiti akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se ndan të njëjtin qëndrim me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me denoncimet.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi:
- Të çelë hetimin gjyqësor dhe të pranojë në cilësinë e provës aktet e sjella nga subjekti i rivlerësimit, sipas inventarit të seancës së sotme dhe shkresën e sapo sjellë prej tij nga SPAK, të datës 12.09. 2025.
- Të njihet në mënyrë të drejtpërdrejtë me informacionin e klasifikuar, të njohur edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të çështjes, pranë institucioneve ligjzbatuese që e administrojnë atë.
- Lidhur me denoncimet, trupi gjykues, duke u mbështetur në qëndrimet e palëve për to, si dhe aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, vlerësoi të mos vijojë me hetim të mëtejshëm, pasi nuk ndodhemi në kushtet e nenit 53 të ligjit nr. 84/2016.
Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 06.10.2025, në orën 13:00, duke i ftuar palët të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.