2025-12-16 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 05.12.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 18/2024, datë 24.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 738, datë 22.02.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gëzim Çopa.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, z. Adnan Xholi, i qëndroi shkaqeve të ankimit dhe deklaroi se gjatë procesit të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk paraqiti ndonjë akt të ri për të provuar të kundërtën e barrës së provës, duke u gjendur në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm e me mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar krijimin e pasurive të tij. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi që veprimtaria hetimore e subjektit të rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës afekton kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale të tij dhe kërkoi që, problematikat në gjetjet e evidentuara në ankim të vlerësohen nga Kolegji edhe lidhur me kriterin e vlerësimit të figurës, sipas nenit 4, pika 2 të ligjit 84/2016, në kuadër të nenit 61, pika 5 të po këtij ligji. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 738, datë 22.02.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gëzim Çopa.
Subjekti i rivlerësimit deklaroi se pas shpjegimeve të dhëna prej tij bazuar në provat në dosje gjatë procesit të zhvilluar në Kolegj, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme nuk duhet t’u qëndronte shkaqeve të ankimit, pasi nëpërmjet provueshmërisë së akteve është arritur të përmbyset barra e provës. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit rrëzimin e ankimit të paraqitur nga përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, si të pabazuar në prova e ligj dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 738, datë 22.02.2024.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 16.12.2025, ora 15:00
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.