2025-04-03 All day
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 19.03.2025, ora 08:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 27/2024, datë 18.07.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 754, datë 05.04.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Mirela Mishgjoni.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurinë, duke u gjendur në kushtet e deklarimit të pasaktë të pamjaftueshëm, si dhe në kushtet e konfliktit të interesit. Z. Dumani tha se të ardhurat e subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit nuk duhet të merren në konsideratë në analizën financiare, pasi nuk përmbushin kriteret e ligjit. Përfundimisht, ai i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 754, datë 05.04.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Mirela Mishgjoni.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit, znj. Mirela Mishgjoni, deklaroi se arrin në nivel të besueshëm në kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë në analizën financiare, të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit, pasi janë të ardhura nga burime të ligjshme. Subjekti i rivlerësimit tha se marrja e masës disiplinore të shkarkimit të saj nga detyra, do të binte ndesh me parimet e objektivitetit dhe të proporcionalitetit, si dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 754, datë 05.04.2024.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 03.04.2025, ora 09:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.