Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 06.05.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 24/2024, datë 01.07.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 744, datë 19.03.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artan Hajredinaj.
Kryesuesja e seancës gjyqësore informoi se gjatë periudhës kohore mes seancës së mëparshme, të zhvilluar më datë 28.04.2025 dhe seancës së sotme, kishin mbërritur në Kolegj dy denoncime, të cilët u ishin përcjellë palëve. Lidhur me to, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho deklaroi se janë të përsëritura dhe nuk mbajnë të dhëna me rëndësi për procesin e rivlerësimit. Të njëjtin qëndrim ndau edhe subjekti i rivlerësimit.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se i qëndron shkaqeve të ankimit për kriterin e pasurisë dhe se i qëndron në mënyrë të pjesshme shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale. Z. Klodian Braho u shpreh se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë e tij. Sa i përket kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme deklaroi se për tri nga shtatë denoncime, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit dhe se rrethanat e rastit mbeten të njëjta. Ndërkohë, për dy çështjet e referuara nga organet ligjzbatuese dhe një cështje me konflikt të mundshëm interesi, nga përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme u vlerësua se nuk konstatohen problematika në vendimmarrjen e subjektit të rivlerësimit. Përfundimisht, z. Klodian Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 744, datë 19.03.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Artan Hajredinaj.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit kundërshtoi ankimin, duke e konsideruar atë të padrejtë në raport me faktet e hetuara dhe të pambështetur në fakte e në ligj. Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të mbajë në konsideratë faktin se pasaktësitë në deklarimin e pasurisë dhe rastet e trajtuara në kuadër të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale në referencë të denoncimeve, bazuar edhe në parimin e proporcionalitetit, nuk përmbajnë elementë të tillë që do të mund të afektonin vlerësimin pozitiv të subjektit dhe konfirmimin e tij në detyrë. Përfaqësuesja ligjore, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 744, datë 19.03.2024, që ka konfirmuar në detyrë subjektin e rivlerësimit Artan Hajredinaj.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 14.05.2025, ora 15:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.